Takohen drejtoreshat e kufirit: Patrullim të sinkronizuar policor shqiptar dhe grek

17/01/2018 10:59

Patrullimet e sinkronizuara të shërbimeve policore shqiptare dhe greke, me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar, ka qenë në fokus të takimit të nivelit të lartë mes drejtoreshës së Kufirit dhe Migracionit Aida Hajnaj dhe koleges së saj greke, Zaharoula Tsirigoti.

Hajnaj dhe Tsirigoti kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe rezultatet e arritura nga aplikimi i mirë i masave të përbashkëta.

“Në takimin e sotëm u diskutua dhe në parim ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, e cila do të fillojë me Kakavijën dhe pastaj do të zbatohet në të gjitha pikat e tjera që janë në kufirin me Greqinë. Vendosja e patrullimeve të sinkronizuara në kufirin e gjelbër që nga muaji Nëntor dhe në vazhdim, ka ndikuar në parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminiale ndërkufitare. U theksua forcimi i bashkëpunimit midis Drejtorive lokale të Kufirit me qëllim shkëmbimin e informacionit, dhe me objektivin e vetëm që është parandalimi dhe goditja e krimit ndërkufitar”, është shprehur znj. Hajnaj.

“Më shumë akoma ka sjellë takimi i grupeve të punës dhe i pikave të kontaktit që kemi përcaktuar si dhe shkëmbimi i informacioneve që bëhet ndërmjet dy shërbimeve policore, ku ka patur si rezultat arrestimin e personave, njëkohësisht dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike. Objektivi ynë i ardhshëm është plotësimi i kuadrit ligjor për qendrën e përbashkët të kontaktit policor dhe bashkëpunimit doganor në Kakavije dhe vazhdimin e masave që tani jemi duke zbatuar, patrullime të përbashkëta dhe takimet e përbashkëta që po zhvillohen në luftë kundër kriminalitetit”, tha znj. Tsirigoti.

Në përfundim të takimit janë inspektuar të dy pikat e kalimit kufitar Shqiptar dhe atij Grek, ku drejtuesit lokalë të kufirit kanë dëshmuar dhe një herë bashkëpunimin mjaft të mirë midis dy vendeve.

Top Channel