Tre kompani turke kanë paraqitur në Ministrinë e Infrastrukturës një ofertë për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës. Lajmi u dha më parë nga Kryeministri Rama përmes një postimi në Twitter dhe më pas u konfirmua nga Ministria e Transporteve.

Sipas Ministrisë, “Cengiz Construction”, “Kalyon Construction” dhe “Kolin Construction” kanë ofruar të ndërtojnë aeroportin e dytë për fluturime ndërkombëtare në vend, në zonën e Akërnisë, pikërisht në vendin ku gjendet aeroporti ushtarak.

Ministria nuk dha shumë detaje mbi ofertën, por lajmëroi se shumë shpejt do të ngrihet një grup i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave, i cili do të shqyrtojë ofertën dhe aspektet teknike të saj.

Burime bëjnë të ditur se oferta parashikon që aeroporti të ndërtohet me koncesion, me paratë e vetë kompanive turke. Megjithatë, ky projekt nuk është pjesë e programit 1 miliardë euro dhe Ministria e Infrastrukturës nuk sqaroi se si do të shlyhen kompanitë private. A do të paguhen më këste nga buxheti njësoj si Rruga e Arbrit, apo privatët do e mbajnë vetë riskun duke e shlyer investimin përmes operimit të aeroportit me koncesion.

Ajo që dihet me siguri është se oferta e tre kompanive turke nuk është e rastësishme. E madje ajo nuk është vetëm një ofertë mirëfilltazi ekonomike, por ka nga pas edhe interesa politike. Vendimi për ndërtimin e aeroportit në Vlorë nga kompani turke është marrë një vit më parë, kur gjatë vizitës së tij në Turqi, Kryeministri Rama bëri nga profili personal i Facebookut këtë njoftim:

“Drekë në Stamboll me Presidentin Erdogan për projektin e Aeroportit të Vlorës, linjën ajrore shqiptare dhe investime të tjera strategjike”.

Top Channel