Parlamenti katalanas në Barcelonë është i zbrazur prej 83 ditësh . Të vetmit që punojnë atje janë pjesëtarët e stafit të pastrimit që heqin rrjetat e merimangave.

Në tetor të vitit të kaluar, Parlamenti jehonte nga këngët separatiste dhe festimet kur shpalli pavarësinë nga Spanja. Që atëherë, i vetmi rast në të cilin karriket e tij janë përdorur ka qenë një ekskursion i nxënësve të një shkolle, që dëgjuan historitë e së shkuarës së ndërtesës.

Të mërkurën, deputetët katalanas u rikthyen për të rihapur punimet e Parlamentit, pas zgjedhjeve të parakohshme që qeveria spanjolle thirri në dhjetor. Tri partitë separatiste të rajonit pritet të qeverisin sërish, pasi fituan 72 nga 135 vendet në Parlament, me vota të mjaftueshme për të qeverisur në koalicion. Parlamenti duhet të propozojë më pas edhe presidentin e ardhshëm, por këtu ka një problem të pazgjidhur.

Pritet që emri i propozuar të jetë sërish ai i ish-presidentit Carles Puigdemont, pavarësisht faktit se ai është qindra kilometra larg, në Belgjikë, në azil të vetimponuar e refuzon të kthehet, pasi nëse e bën këtë përballet me arrestimin nën akuzat për rebelim e mosbindje, që mund të çojnë edhe në burgim deri në 30 vite.

Ekipi i Puigdemontit beson se ai mund të drejtojë rajonin edhe nga largësia, përmes Skype, Facebook apo medies sociale, nëse do të jetë e mundur, e për këtë shkak, ai ka fituar tani në shtypin spanjoll epitetin Presidenti-hologram.

Pavarësisht kësaj, këtë javë kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të zgjedhur sërish në krye Puigdemontin do të çonte në vazhdimin e gjendjes së emergjencës. Njohësit e ligjit po ashtu nënvizojnë se nuk do të ishte e ligjshme apo në përputhje me Kushtetutën spanjolle, qw të lejohej një President në azil. Ndërsa ka edhe nga ata që nënvizojnë se Mariano Rajoy nuk ka fuqi për të penguar Presidencën e Puigdemontit.

Sidoqoftë, Parlamenti katalanas ka edhe dy javë kohë për të vendosur për Presidentin.

Top Channel