Merkato, ekipet e Championsit kanë shpenzuar 301.2 mln euro

17/01/2018 14:40

Merkatoja dimërore në futboll nuk është përjetuar njësoj nga 16 skuadrat që kanë kaluar në 1/8-at e finaleve të Champions League.

Rasti më domethënës në këtë pikë është ai i Realit të Madridit, që ka vendosur të mos bëjë blerje të reja në këtë sesion të merkatos, pavarësisht formës së dobët në kampionat, ndërkohë që në Champions e pret përballja me Paris Saint Germain.

Sipas rregullores së UEFA-s, çdo skuadër e Championsit duhet të regjistrojë dëri në 3 lojtarë të rinj deri në mesnatën e 1 shkurtit, e për këtë arsye disa prej këtyre skuadrave menduan të shfrytëzojnë në maksimum rastin.

Në total, 16 klubet që vazhdojnë rrugëtimin në këtë turne kanë shpenzuar deri tani 301.2 milionë euro, me Barcelonën që është dominuese, pasi ka paguar 171.8 milionë euro për Coutinhon dhe Yerry Mina.

Braziliani nuk mund të luajë në Champions pasi u aktivizua me Liverpoolin në fazën e grupeve, por mund të rezultojë i rëndësishëm në kampionat dhe kupë, duke bërë që Iniesta të ketë më shumë kohë për të pushuar.

Po kështu edhe Yerry Mina, që është alternativa e Pique dhe Umtiti në qendër të mbrojtjes.

Pas katalanasve, është Liverpooli që ka bërë një shpenzim të madh, atë prej 85 milionë eurosh për Van Dijk, që u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Chelsea investoi 16.9 milionë euro për blerjen e Barkley, ndërsa Bayerni bleu Wagner për 13 milionë euro.

Por këto nuk janë lëvizjet e vetme në këtë merkato. Shumë shpejt pritet të mësohet edhe destinacioni i Sanchez, Pulisiç, Salah apo Mahrez, që po përmenden shpesh.

Top Channel