Koretë, nën flamurin e unifikuar në Olimpiadën dimërore

17/01/2018 15:06

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë rënë dakord që të marshojnë të bashkuara nën një flamur të vetëm “të Koresë së bashkuar”, në hapje të Lojërave Olimpike Dimërore të muajit të ardhshëm që do të zhvillohen në Jug.

Këto dy shtetet ranë dakord gjithashtu që të garojnë vetëm me një ekip “hockey” për femrat, pasi bisedimet e rralla mes dy vendeve në fshatin e paqes, Panmunjom, përfunduan me sukses.

Këto janë të parat bisedime të nivelit të lartë mes dy Koreve në më shumë se dy vite. Lojërat Olimpike do të zhvillohen mes 9 dhe 27 shkurtit në Pyeongchang, në Korenë e Jugut.

Megjithatë, trajneri i ekipit të hockeyt të Koresë së Jugut dhe gazetat konservatore kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me perspektivën e një ekipi të unifikuar hockey, duke thënë se kjo do të dëmtonte mundësitë e Koresë së Jugut për të fituar një medalje.

Dhjetëra mijëra njerëz thuhet të kenë nënshkruar peticione “online”, që i bëjnë thirrje presidentit Moon Jae-in të mos e miratojë këtë plan.

Japonia gjithashtu e ka parë këtë tërheqje të fundit si të dyshimtë, duke thënë se bota nuk duhet marrë si “e verbër” nga ofensiva sharmante e fundit e Penianit.

Bisedimet vijnë në një kohë kur janë shënuar avancime të qenësishme në programet bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut.

Top Channel