Ish-kryestrategu i Trumpit refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në Kongres

17/01/2018 17:11

Steve Bannon, ish-kryestrategu i presidentit amerikan Donald Trump, refuzoi që t’iu përgjigjet pyetjeve gjatë një seance dëgjimore në Kongres, në kuadër të hetimit që po shqyrton lidhjet mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

Bannon ishte thirrur që të dëshmonte para Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, për kohën që shërbeu nën presidentin Trump. Megjithëse u pyet pas dyerve të mbyllura dhe në një seancë që zgjati 10 orë, Bannon nuk tha asgjë.

Zyrtarë të Kongresit thanë se Bannon shmangu përgjigjet përmes privilegjit ekzekutiv, një mjet që i lejon presidentit të mos i japë informacione publikut. Duke shfrytzuar këtë mundësi, Bannon nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje për kohën që punoi në Shtëpinë e Bardhë, apo tranzicionin në administratën e re.

Nga Shtëpia e Bardhë thonë se askush nuk i ka kërkuar Bannonit që të heshtë, ndërsa theksojnë se për informacione sekrete, Kongresi duhet të konsultohet me Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk i ka ndalur demokratët që të thonë se Bannon mori urdhër nga Shtëpia e Bardhë që të mbyllë gojën dhe përveç kësaj e ka zgjeruar tej mase mbulimin që ofron privilegji ekzekutiv, megjithëse ai nuk gëzoi kurrë një status të tillë në detyrë.

Bannon ka marrë një tjetër thirrje për dëshmi edhe nga Robert Mueller, njeriu që drejton hetimin për Rusinë dhe ndërsa nuk dihet nëse do të përdorë të njëjtin justifikim për të heshtur, publikisht ka thënë se do të bashkëpunojë me hetimin e prokurorit special.

Top Channel