Ish-bosi i McLarenit në Formulën 1, Martin Whitmarsh pritet të rikthehet me një rol të ri, pasi ka pranuar pozicionin e përkohshëm të konsulentit në Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit, FIA.

Whitmarsh u largua nga Formula 1 në vitin 2014, pasi u rrëzua nga posti i shefit ekzekutiv të McLarenit në fundin e vitit 2013, kur Ron Dennis rimori kontrollin e skuderisë britanike. Që prej atëherë, ai është përfshirë në garat me jahte, e ka qenë gjithashtu edhe shef i ekipit Land Rover BAR në “America’s Cup”.

Por, pasi dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit atje në fund të vitit të kaluar, Whitmarsh është përfshirë sërish në garat e automobilizmit.

Në nëntor, Whitmarsh u konfirmua si një përfaqësues i bordit global të këshillimit të Formulës E, që drejtohet nga 4 herë kampioni i botës në Formulën 1 dhe tashmë pronar i ekipit FE, Alain Prost.

Tashmë Whitmarsh, me rolin e tij në FIA do të ndihmojë organizmin qeverisës të prezantojë rregullat e kontrollit të kostove në Formulën 1, mes të cilave përfshihet edhe tavani i shpenzimeve buxhetore.

Njohuritë e Whitmarsh me drejtimin e një skuderie, së bashku me eksperiencën e tij si drejtues i Shoqatës së ekipeve të Formulës 1 në vitet 2010-2012, e bëjnë atë favorit për të përcaktuar mënyrën më të mirë të implementimit të kontrolleve financiare dhe efektshmërisë së tyre.

Top Channel