I shpërtheu bombula gazit, kryefamiljari: Do të tregoj më shumë kujdes

17/01/2018 15:28

Familja Vasjari ishte mbledhur për një darkë familjare dhe bombola ishte ndezur për gatim, kur shpërtheu.

“E ndeza dhe u largova pa e patur në mendje që të rrija aty, ta kontrolloja se mos kishte ndonjë problem sepse edhe bombula nuk ishte shumë e re. Familjarët, fëmijët u trembën, ajo përhap panik vetëm pamja e flakës. Bombulën e mbusha këtu afër, por se ka fajin mbushja ose kolaudimi, më shumë ia vë fajin moshës së saj se kishte kaluar 5 vite”,thotë kryefamiljare Hari Vasjari.

Fëmijët që po loznin aty pranë, ishin ata që e konstatuan flakën të parët.

“Po e panë nga xhami, se ishin duke lozur këtu, se është këndi i tyre, dhe duke parë një flakë të madhe thanë, ‘ooh po na digjet shtëpia’ duke qeshur. Gjëja e parë që ishte, shpëtimi i jetëve pastaj të tjerat. Mund të them që kam qenë me shumë fat sepse për fatin tim të keq në momentin që ajo eksplodoj une isha afër saj”, vijon Hari rrëfimin.

Banorët e lagjes ku ndodhi shpërthimi kanë treguar momentet e tmerrit. “U tundën xhamat e lokalit këtu. Erdhi me vrap pastaj policia, ambulanca se kishte hall mos kishte të lënduar , asnjë. Dëgjonim një zhurmë, si zhurmë avioni dhe thonim ça po ndodh. Morëm zjarrfikësen 129 në telefon. Po krijoi panik sepse ishte diçka e frikshme. Po tamam tërmet , bombë, po shyqyr që s’pati gjë”, thotë një fqinj i tij.

Hari Vasjari ka një ndjesë për shqetësimin që u shkaktoi banorëve. Por thotë se nuk do të heqë dorë nga përdorimi i gazit. Vetëm se tani, do të tregohet më i kujdesshëm me kontrollin e bombulës.

 

Top Channel