Gjoka vlerëson merkaton e Vllaznisë: T’i largohemi fundit

17/01/2018 00:01

Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka ka realizuar një komumnikim me tifozët shkodranë, nëpërmjet faqes zyrtare të Vllaznisë në Facebook, ku ka folur për merkaton e zhvilluar deri tani dhe për ecurinë e përgatitores së Ulqinit.

Gjoka ka vlerësuar angazhimin e stafit drejtues, me në krye Presidenten Voltana Ademi, ndërsa është shprehur i kënaqur me afrimet e bëra në këtë merkato.

“Mendoj se kemi bërë një merkato të mirë, pasi kemi ndërhyrë pikërisht në ato reparte ku kemi pasur vërtetë nevojë. Për pjesën e mbetur të sezonit do të kemi në dispozicion edhe 2 qendërmbrojtës të tjerë, me mjaft eksperiencë, që do të na ndihmojnë shumë të mos luajmë të sajuar në atë repart. Edhe sulmi ka qenë një nga pikat tona të dobëta, veçanërisht në finalizim kemi vuajtur shumë. Gjithsesi, unë besoj shumë te Sukaj, që bashkë me Ribajn do të na ndihmojnë shumë në pjesën e mbetur të sezonit”, tha Gjoka.

Trajneri i Vllaznisë e konsideron merkaton të mbyllur tashmë, ndërsa tha se synimi është që t’i largohen sa më shpejt zonës së ftohtë të renditjes.

“Nuk presim afrime të tjera, pasi jemi të kënaqur me lojtarët që kemi. Këto janë mundësitë tona dhe mendoj se kemi bërë më të mirën. Synimi është që t’i largohemi sa më shpejt zonës së rënies, më pas nëse do kemi mundësi, do synojmë për më tepër”, u shpreh trajneri i Vllaznisë.

Top Channel