BE, për Londrën: Zemra jonë, e hapur për ju

17/01/2018 11:49

Ndezja e një debati të dytë mbi “Brexit”-in në Britaninë e Madhe u ndoq me interes të veçantë në Bruksel.

Dy drejtues të bllokut, presidenti i BE-së Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Europan, Jean-Claude Juncker i bënë Londrës një ofertë të rafinuar taktike, siç e përshkruajnë mediet e huaja, për të qëndruar në Bashkimin Europian.

“Zemrat tona janë gjithmonë të hapura për ju”, tha Tusk në një fjalim në Parlamentin Europian në Strasburg, duke e bërë të qartë dëshirën për qëndrimin e Anglisë në BE.

Në Londër duhet të dëgjojnë se “dera jonë vazhdon të jetë e hapur”, ishte komenti i Junckerit.

Deklarata të së njëjtës linjë kanë bërë pak kohë më parë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ish-ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble.

Një ndalim të procesit të “Brexit”-it duhet ta mbështesnin të 27 shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, sqaron “Deutsche Welle”. Në Britani, skepticizmi mbi shkëputjen nga blloku është rritur që prej referendumit të qershorit, ku 52% e anglezëve votuan në favor të “Brexit”-it.

Liberalët dhe politikanë të tjerë proeuropianë kërkojnë tashmë një referendum të dytë, por kryeministrja Theresa May e përjashton kategorikisht një mundësi të tillë. Negociatat për “Brexit”-in kanë kaluar aktualisht në fazën e dytë, e gjatë muajve të ardhshëm me gjasë do të nisin bisedimet për fazën tranzitore të dëshiruar nga Londra dhe marrëdhëniet e ardhshme, duke përfshirë këtu një marrëveshje tregtare.

Top Channel