Viti i Skënderbeut, 550 pemë në Petrelë nga arbëreshët e Italisë, zbardhet axhenda e aktiviteteve.

Arbëreshët e Italisë mbjellin sot, në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, plot 550 pemë në Petrelë.

Në kuadër dhe të shpalljes së 2018 si viti i Skënderbeut, Tiranën po e vizitojnë përfaqësues të komunitetit arbëresh në Itali, të cilët kanë ruajtur të gjallë në këngë figurën e heroit tonë kombëtar.

Së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, arbëreshët e ardhur nga jugu i Italisë do të mbjellin nesër 550 ullinj rreth kalasë së Petrelës, si simbol i paqes dhe i harmonisë mes njerëzve, një trashëgimi e lënë që nga koha e Skënderbeut.

Të mërkurën, figura të larta shtetërore nga Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare do të marrin pjesë në ceremoninë e posaçme që do të organizohet në përkujtim të figurës dhe veprës së Heroit tonë.

Ceremonia do të nisë në orën 17.30 me një ecje nga sheshi “Nënë Tereza” drejt sheshit “Skënderbej” dhe në orën 18:00 do të vendosen kurora nga personalitetet e shtetit dhe komunitetit arbëresh në monumentin e Skënderbeut, pikërisht në sheshin që mban emrin e tij, i cili në mënyrë simbolike, për gurët me të cilët është ndërtuar dhe pemët me të cilat është gjelbëruar, përfaqëson të gjitha trojet shqipfolëse.

Top Channel