Shpërthim në Belgjikë. Shembet pallati, 14 të plagosur

16/01/2018 00:28

Shpërthimi që shkatërroi një restorant italian në Anver të Belgjikës ka plagosur 14 persona, 6 nga të cilët rëndë, ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës. Restoranti ndodhej në pjesën e poshtme të një pallati 3-katësh, nga rrënojat e të cilit u nxor edhe një fëmijë. Tre ndërtesa të tjera u dëmtuan nga forca e shpërthimit.

Belgjika ka qenë në gjendje gadishmërie që prej sulmeve vetëvrasëse të Brukselit vitin e kaluar, por policia nuk nxitoi ta përshkruante rastin e fundit si një episod me sfond terrorist. Shkaqet e incidentit në rrugën Paardenmarkt, një zonë kjo e frekuentuar shumë nga studentë, nuk dihen ende, por autoritetet po hetojnë për zbardhjen e tyre.

Fillimisht u fol për një rrjedhje gazi, por edhe kjo pistë duhet verifikuar. Anvera ka qenë në të kaluarën një prej vatrave më aktive të xhihadizmit salafist në vend. Shumë banorë të zonës kanë ofruar shtëpitë e tyre për të mirëpritur personat e prekur nga fatkeqësia.

Top Channel