Biznesmeni kinez që bleu aksionet e Milanit preferoi të zbresë personalisht në skenë për të mbrojtur investimin e tij në një prej klubeve më të titulluar të futbollit botëror. Përballë akuzave për riciklim parash dhe dyshimeve mbi fondet e siguruara për blerjen e kuqezinjve, Li Jonghong kërcënoi me padi në gjykatë.

“Artikujt mbi një hetim të përfolur për pastrim parash, të publikuar në disa gazeta dhe të riprodhuar në të tjerë organe mediatike, më detyrojnë të bëj disa saktësime mbi këtë çështje. Blerja e Milanit është bërë në transparencë të plotë, me rregullsi dhe me mbështetjen e konsulentëve në nivel ndërkombëtar. Të gjitha procedurat janë bërë në bazë të respektimit të ligjeve, por ajo që kam lexuar këto ditë, nuk reflekton faktet”, tha presidenti i Milanit.

“Personalisht jam ndjerë i dëmtuar dhe ashtu si unë edhe Milan dhe grupi që përfaqësoj. Fushata e papranueshme mediatike po bëhet mbi informacione jo korrekte dhe do të bëjmë padi ligjore për këtë”, tha aksioneri kryesor i Milan.

Blerja e Milanit ndërkohë vazhdon të shkaktojë diskutime, edhe pse deri më tani nuk ka asnjë fakt apo dokument që mbështet tezën se milionat për ndryshimin e aksioneve te kuqezinjtë, vijnë përmes riciklimit të parave.

Top Channel