Man. City heq dorë nga Sanchez, drejt rinovimit me De Bruyne

16/01/2018 15:50

Manchester City vendosi të heqë dorë nga blerja e Alexis Sanchez, për shkak të pretendimeve ekonomike të sulmuesit kilian, që me shumë gjasa do të prishte ekuilibrat në skuadër.

Sipas “The Times”, operacioni i transferimit të Sanchez u rrit në 65.2 milionë euro, shifër kjo më e lartë sesa ajo e akordit të arritur mes dy klubeve verën e kaluar, për 39.4 milionë euro.

Kontrata e Sanchez skadon qershorin e këtij viti dhe kiliani kërkoi një pagë prej 20.5 milionë eurosh në sezon, që do ta bëntë atë futbollistin më të paguar në Premier League, për të lënë pas Pogbanë, që përfiton te Manchester United plot 315 mijë euro në javë.

Është pikërisht kjo shifër, motivi i tërheqjes së Manchester Cityt nga tentativa e tij për të blerë Sanchezin.

“Citizens” duan që të rinovojnë kontratën me De Bruyne dhe po përgatiten t’i ofrojnë mesfushorit belg një pagë prej 315 milionë eurosh në javë, kështu që ata preferojnë që të mos e komplikojnë këtë çështje.

Gjithnjë sipas “The Times”, Guardiola u takua me drejtuesit e klubit dhe së bashku vendosën për të hequr dorë nga blerja e Sanchezit, për të mos trazuar skuadrën që po shkon drejt titullit kampion në Premier League.

Për sa i përket Sanchezit, kiliani duket se do të ketë destinacion pikërisht Manchester United, pavarësisht interesit të shfaqur në orët e fundit edhe nga Chelsea.

Top Channel