Flota e “skllevërve” koreano-veriorë në Shën Pjetërburg

16/01/2018 13:40

Në Shën Pjetërburg të Rusisë gjendet një botë e fshehur punëtorësh koreano-veriore, kushtet e të cilëve ngjasojnë me ato të skllevërve, thotë CNN.

Korrespondenti i gjigantit mediatik amerikan ka folur me disa prej këtyre njerëzve, duke konfirmuar gjendjen e tyre të vështirë. Ata janë pjesë e 50 mijë shtetasve të vendit të izoluar komunist, që besohet se jetojnë e punojnë në Rusi.

Diplomatët amerikanë thonë se, deri në 80% e fitimeve të tyre çohen mbrapsht në Penian për të ndihmuar regjimin e udhëheqësit Kim Jong-un. Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin se paratë e dërguara në këtë mënyrë në Korenë e Veriut, totali i të cilave në një vit kap shifrën 500 milionë dollarë, ndihmon në financimin e programit raketor e atij nuklear, që po shqetëson shumë komunitetin ndërkombëtar.

Sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila synon tkurrjen e ambicieve bërthamore të Penianit, vendeve të botës i është lejuar punësimi i koreano-veriorëve në bazë të disa kuotave të caktuara, por jo autorizimi i lejeve të reja të punës.

Raundi i ri i sanksioneve kërkon që punëtorët e vendit komunist të dërgohen në shtëpi të gjithë deri dhjetorin e vitit 2019, gjë që do t’i ndërpresë Penianit një burim të rëndësishëm financimi. Nuk është e qartë sesa prej koreano-veriorëve që punojnë në Rusi do të kthehen vërtet mbrapsht.

Top Channel