Basha me degët e PD: Kemi vullnetin për zbatimin e reformës në drejtësi

16/01/2018 13:53

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se nisma e opozitës për zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm sipas Kushtetutës dhe me vetting është treguesi më i qartë i vullnetit të opozitës për zbatimin e Reformës në Drejtësi, të pakapur nga krimi.

“E pra ky është një akt i përgjegjshëm politik, i cili bëhet për t’ia davaritur çdokujt dyshimin se Partia Demokratike ka ndonjë axhendë tjetër përveç se përshpejtimit të Reformës në Drejtësi. Se afërmendsh, opozita nuk ka dhe nuk mund të ketë aleatë më të mirë në luftën kundër krimit dhe kriminelëve dhe të korruptuarve, se sa një drejtësi që funksionon”, u shpreh Basha.

Në aktivin me disa degë të Tiranës, kreu i opozitës tha se nëpërmjet kryeprokurorit antikushtetues, Rama synon të bllokojë hetimet për Saimir Tahirin dhe të diktojë zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të kontrolluar më pas edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke shkatërruar themelet e Reformës në Drejtësi.

Basha tha se protesta e 27 janarit nuk është një manifestim për interesin e një force politike, por për t’i dhënë zë shumicës së shqiptarëve.

Top Channel