Ahmetaj letër sipërmarrjes: Shërbimet e reja që lehtësohen

16/01/2018 12:35

Reforma e derregullimit, e cila thjeshton procedurat për biznesin dhe qytetarët ka hyrë në fazën e dytë. Ministria e Financave njoftoi se brenda janarit do të thjeshtohen apo hiqen edhe 20 procedura dhe dokumenta të tjera, të cilat lëshohen nga administrata fiskale.

Sipas Ministrisë së Financave, duke filluar që nga ky muaj biznesi do të ketë mundësinë të paguajë online 13 lloje taksash duke përfshirë TVSH-në, tatim-fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale, si dhe taksat dhe tarifat kombëtare.

Veç pagesës së taksave, brenda janarit do të ofrohen online edhe katër autorizime doganore. Ato janë përjashtimi i pjesshëm, regjimi i përpunimit aktiv, ai i përpunimit pasiv si dhe regjimi i magazinës doganore, ndërkohë që edhe porositja e pullave fiskale për mallrat e akcizës do të bëhet online.

Përmes një letre drejtuar të gjitha shoqatave të biznesit në vend, ministri i financave Arben Ahmetaj i ka kërkuar sipërmarrësve të japin sugjerime për lejet, licencat apo autorizimet e tjera, të cilat mund të thjeshtohen më tej.

Sipas Qeverisë, faza e parë e thjeshtimit të procedurave dhe shkurtimit të dokumentave i ka kursyer biznesit dhe qytetarëve rreth 600 mijë dokumenta, ose 56 vite pritje nëpër zyrat e shtetit, vetëm në një vit.

Top Channel