Turqia denoncon planin amerikan për “ushtrinë e terroristëve” në kufi

15/01/2018 16:22

Fuqitë kryesore të përfshira në luftën civile të Sirisë kanë kritikuar planet e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar milicinë e udhëhequr nga kurdët për ngritjen e një “Force Sigurie Kufitare” prej 30 mijë ushtarësh.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan është angazhuar të “mbysë” përpjekjet për të nisur stërvitjen e anëtarëve të Forcave Demokratike Siriane (SDF) dhe krijimin e asaj që ai quajti një “ushtri terroristësh”.

Ankaraja i konsideron kurdët që luftojnë në emër të SDF-së të jenë pjesë e një grupi terrorist. Qeveria e Sirisë kritikoi gjithashtu “sulmin e ashpër” ndaj sovranitetit të saj, ndërsa Rusia paralajmëroi se kjo mund të sillte ndarje të territoreve.

Me ndihmën e sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara, SDF-ja ka zaptuar dhjetëra mijëra kilometra katrorë territor nga militantët e Shtetit Islamik.

Në tetor, aleanca mori kontrollin e plotë të qytetit verior Raqqa, apo të ashtuquajturin kryeqytet “de facto” të kalifatit të shpallur nga grupi xhihadist në vitin 2014. Që prej atëherë, luftëtarët e SDF-së kanë avancuar drejt juglindjes, përgjatë luginës së lumit Eufrat.

Top Channel