Sulmoi të fejuarën e Princit Harry, kreu i UKIP-it ndahet nga e dashura

15/01/2018 11:21

Udhëheqësi i partisë britanike anti-BE, UKIP, Henry Bolton është ndarë nga e fejuara e tij, ish-modelja 25-vjeçare Jo Marney, pasi kjo e fundit kishte bërë komente raciste në adresë të bashkëshortes së ardhshme të princit Harry, Meghan Markle.

Bolton tha se i kishte dhënë fund marrëdhënies me të dashurën e tij dhe se romanca e tyre, dukshëm nuk përputhej me rolin e tij si udhëheqës i partisë. Sidoqoftë, ai konfirmoi se nuk kishte ndër mend të dorëhiqej nga drejtimi i partisë, e tha se racizmi në çfarëdolloj mënyre binte ndesh me Kushtetutën e UKIP-it.

Sipas BBC, Marney kishte kërkuar ndjesë për gjuhën e përdorur, duke pohuar edhe se frazat e saj janë ekzagjeruar me qëllim dhe janë nxjerrë nga konteksti.

I zgjedhur në shtator në krye të partisë antiemigracion, 54-vjeçari Henry Bolton lajmëroi ndërkohë në Twitter se, partnerja e tij Jo Marney ishte pezulluar nga partia, pasi SMS-të që ajo i kishte dërguar një miku ishin publikuar nga “Mail on Sunday”.

Në mesazhe, ajo shkruante se amerikania Markle, nëna e së cilës është afroamerikane, ka trurin e vogël, është një aktore budallaqe, emrin e të cilës nuk e ka dëgjuar askush dhe do të ndotë familjen mbretërore me farën e saj.

Mesazhet vijojnë edhe më tej: Do të ketë pas kësaj një kryeministër mysliman dhe një mbret të zi. Ne jetojmë në Mbretërinë e Bashkuar, jo në Afrikë. Për më tepër, Marney pohonte se ajo nuk do të kishte kurrë ndonjë marrëdhënie seksuale me zezakë, sepse ata janë të shëmtuar.

Top Channel