Sulm kamikaz në Irak, të vdekur e të plagosur

15/01/2018 10:54

Të paktën 35 persona janë vrarë në një shpërthim të dyfishtë në kryeqytetin irakian, Bagdad, sulmi i dytë ky në 3 ditë.

Më shumë se 90 të tjerë janë plagosur në sulmin që ndodhi në sheshin “Tayran”, në qendër të qytetit.

Bagdadi ka regjistruar shpërthime thuajse të përditshme dhe sulme të armatosura, që pasi Shteti Islamik mori kontrollin e zonave të gjera në vend në vitin 2014.

Sidoqoftë, ritmi i sulmeve ka rënë që nga mundja e militantëve në dhjetor. Sulmi i së hënës u krye nga dy persona, që hodhën veten në erë me eksplozivë. Vendi ku u krye sulmi është një shesh i shumëfrekuentuar, ku turma të mëdha punëtorësh ndërtimi mblidhen për të gjetur punë.

Ai ka qenë në shënjestër të militantëve edhe më herët. Një reporter i “AFP”-së tha se kishte një numër të madh personeli sigurie në vendngjarje.

Një sulm vetëvrasës në një pikë kontrolli në veri të qytetit, të shtunën, u mori jetën të paktën 5 personave. Dhuna e rikthyer pason lajmërimin se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në maj.

Top Channel