Sinqeriteti i Sharon Stone: Ngacmimet, të pashmangshme në Hollywood

15/01/2018 10:39

Akuzat për abuzime seksuale shkaktuan një cunami të vërtetë në Hollywood, e vazhdojnë të jenë pjesë debatesh të zjarrta.

Megjithatë, jo të gjitha figurat e rëndësishme në olimpin e kinematografisë botërore çuditen nga skandali i bujshëm.

Për disa, në fakt, gjëra të tilla duket kanë qenë ingranazh i njohur i mekanizmit. Një prej aktoreve më të bukura të ekranit të madh, Sharon Stone, sot 59 vjeç, ia plasi të qeshurës ku intervistohej nga Lee Cowan i “CBS”-it, dhe ai e pyeti nëse e kishte gjetur veten ndonjëherë të ekspozuar ndaj sjelljeve të pahijshme seksuale.

“Po, a e imagjinoni dot përpara 40 vitesh biznesin në të cilin unë hyra? Sidomos me pamjen që kisha. Unë isha askushi, vija nga Pensilvania, nuk më njihte njeri, si mendoni ju? Nuk kisha asnjë lloj mbrojtjeje. Kam parë nga të gjitha, për këtë ju siguroj”, ishte përgjigjja e aktores së famshme.

Dy ditë më parë, një tjetër emër tejet i njohur e i dashur për publikun, Liam Neeson la të kuptohej sesa e rrezikshme është të kalohet masa me këtë temë.

Skandali i ngacmimeve, sipas tij ka shkaktuar një gjueti të vërtetë shtrigash.

“Ka njerëz, të famshëm flas, që papritur akuzohen se i kanë prekur gjurin një vajze apo diçka e tillë, e menjëherë i fshijnë nga programet”, tha Neeson për televizioni irlandez “RTE”.

“Duhet të bëhet dallimi, – shtoi ai, – mes incidenteve të tilla të vogla dhe gjërave që bënte Harvey Weinstein, atëherë kur nuk ka rast për shenjë barazimi”.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel