Qytetarët e Ballkanit mbeten shumë më besimtarë sesa ata të Europës Qendrore dhe Perëndimore.

Një sondazh i ri i publikuar nga “Daily Telegraph” tregon se, feja vazhdon të jetë një faktor i fuqishëm në mendjet e njerëzve të rajonit, e në vet shoqëritë e të gjitha ish-shteteve komuniste të tij, me përjashtimin e Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Kosova, Maqedonia dhe Rumania rezultojnë shoqëritë më “fetare”, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë, me mbi 77% të popullsisë që pohon prirje të tilla. Pas tyre vijnë Serbia, Kroacia, Mali i Zi e Greqia, me 70 deri në 72%, e në fund Bosnja me 65%.

Shqipëria rezulton i vetmi vend ballkanik me një qëndrim perëndimor ndaj fesë. Këtu, sipas anketimit të shtrirë në një periudhë kohe disavjeçare, vetëm 39% e banorëve e konsiderojnë veten besimtarë, e njëjta përqindje me Austrinë e Hungarinë dhe pak më shumë sesa Spanja, ku ky nivel llogaritet në 37%.

Në Europën Perëndimore, Italia, qendra e Kishës Katolike, është i vetmi vend ku një shumicë dërrmuese e popullatës, 74% e sheh veten si besimtarë. Shifrat janë goxha më të ulëta në Britani, Holandë e Gjermani, ndërsa veriu i Europës shfaqet në përgjithësi jo i prirur drejt bindjeve fetare.

Top Channel