Marku premton transparencë. Kryeprokurorja e përkohshme: Do ruaj sekretin hetimor

15/01/2018 19:57

Arta Marku premton transparencë, por edhe ruajtjen e sekretit hetimor. Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme u takua sot me gazetarët që mbulojnë institucionin qendror të akuzës.

Si të gjithë ambasadorët, edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman, u prit nga Kryeprokurorja Arta Marku në një takim me dyer të mbyllura dhe larg shkrepjes së aparateve që jemi mësuar të shohim rëndom.

Të gjitha mesazhet e përcjella në takimet pas 19 Dhjetorit kur Arta Marku u fut në zyrën e re, kanë dalë vetëm përmes një kanali, që është ai i zyrës së shtypit. Duke anashkaluar shfaqjet e shpeshta, zonja Marku mesa duket tregon se do t’i qëndrojë besnike premtimit që dha në Komisionin e Ligjeve mbi ruajtjen e sekretit hetimor.

Por për të qartësuar se nuk do të mungojë transparenca Prokurorja e Përgjithshme zgjodhi të shfaqet për herë të parë nga zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme pikërisht në takimin e hapur me gazetarët që mbulojnë Gjyqësorin, por pa praninë e kamerave. Pamjet që po ndiqni u shpërndanë më pas nga zyra e shtypit. E matur ndaj pyetjeve, mesazhi i saj kësaj radhe ishte drejtpërdrejtë.

“Është ende herët, por sa e pavarur do të jem do ta tregojë puna ime”, u shpreh Arta Marku.

Në Komisionin e Ligjeve kur shpalosi platformën e saj, Arta Marku shprehu si përparësi promovimin e prokurorëve brenda kritereve, ruajtjen e sekretit hetimor, nxjerrjen nga kaosi ku ndodhet sipas saj organi i akuzës dhe zbatimi i reformës në drejtësi.

Top Channel