Lojërat Olimpike, dy Koretë në bisedime të reja

15/01/2018 11:02

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë mbajtur bisedime të reja mbi planin e Penianit për të dërguar një delegacion në Olimpiadën dimërore të muajit të ardhshëm.

Një autobus, që mbante në bord zyrtarë nga Koreja e Jugut, kaloi urën e unifikimit të hënën në mëngjes, për një takim në fshatin kufitar Panmunjom.

Javën e shkuar, Veriu komunist tha se do të dërgonte atletë dhe performues artistikë në Lojërat e shkurtit. Sipas raporteve, Peniani ka kërkuar rikthimin e dhjetëra dezertorëve në këmbim të rifillimit të bashkimeve familjare.

Sipas Ministrisë së Unifikimit të Koresë së Jugut, të dyja palët kanë rënë dakord të diskutojnë çështjen e familjeve të ndara në një datë më të vonshme, pasi marrëdhëniet mes Koreve të përmirësohen më tej.

Dy vendet kanë pranuar po ashtu të mbajnë bisedime në fusha të ndryshme, në një seri takimesh që do të pasojnë. Seuli ka këmbëngulur për përfshirjen e Penianit në Olimpiada dhe bisedimet e javës së shkuar, të parat në më shumë se dy vite, duket se kanë zbutur tensionet mes dy vendeve fqinje.

Top Channel