Tashmë është zyrtare. Mbrojtësi 28-vjeçar argjentinas Lisandro Lopez është transferuar nga Benfika te Interi, në formë huazimi me të drejtë blerje.

Hedhja e firmës u krye pasdite, pasi lojtari më herët kishte kaluar edhe testet mjekësore, ndërsa kishte kryer edhe stërvitjen e parë me Interin.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Interit, një klubi që ka pasur shumë argjentinas në gjirin e vet. Mund të përmend Samuel, Zanetti dhe Milito, por janë të shumtë ata që kanë nderuar këtë fanellë. Dua të ndihmoj skuadrën për të arritur objektivin, që është pjesëmarrja në Champions. Seria A është një nga ligat më të forta të botës dhe shpresoj të përshtatem sa më shpejt. Gjithmonë kam mbajtur numrin 2 dhe jam me fat që e gjeta të lirë edhe këtu”, u shpreh Lisandro Lopez.

Pas tij, radha ka qenë e trajnerit të Interit, Luciano Spalletti, që u shfaq i lumtur me punën që po bëhet në merkato dhe komplimentoi drejtuesit e skuadrës.

“Më vjen mirë që kemi marrë Lisandron, sepse kjo tregon se kemi drejtues shumë të aftë, që po e bëjnë më së miri punën e tyre. Rafinha? Ende nuk është mbyllur, të presim”, deklaroi Spalletti.

Top Channel