Një vajzë 7-vjeçare humbi jetën në Pediatrinë e Spitalit të Durrësit. Sipas mjekëve, ajo u dërgua në spital nga prindërit pasditen e së dielës me simptoma të rënda gripale.

Fatmir Shahini, shef i Pediatrisë së Durrësit, tha: “Vajza ka ardhur pas orës 16:30. Në shtëpi kishte rënë pa ndjenja dhe familjarët thanë që fëmija kishte 3-4 ditë me temperaturë shumë të lartë”.

Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, Amelia Sheqi nuk mundi të mbijetojë.

“Arsyeja paraprake është një gjendje virale, një formë e rëndë e gjendjes virale. Ende nuk mund të flasim dot për grip, pasi duhen pritur analizat. Tashmë është ngritur një grup ekspertësh nga Ministria e Shëndetësisë”, shtoi Shahini.

Përveç viktimës, në Pediatrinë e Durrësit mjekët, jashtë kamerave, bëjnë të ditur se ka dhe një tjetër fëmijë që ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa numri i pacientëve të vegjël që kërkojnë ndihmë në spital është në rritje.

E ndërsa fluksi i vizitave dhe shtrimeve pranë këtij shërbimi është i lartë, një vendim i marrë së fundmi nga Drejtoria e Spitalit ndalon sjelljen e pacientëve të vegjël deri në derën e Urgjencës Pediatrike me automjet, duke i lënë ata dhe nënat të ekspozuar ndaj të ftohtit dhe reshjeve të shiut.

Top Channel