Arsenali ofron Sanchezin për Martial

15/01/2018 16:52

Arsenali vazhdon të këmbëngulë se, nëse do të humbasë Alexis Sanchez në merkaton e janarit, do ta zëvendësojë me një tjetër sulmues të denjë.

Por koha dhe kontrata nuk punojnë në favor të skuadrës londineze, e cila pasi është dorëzuar tashmë në humbjen e futbollistit kilian, ka kërkuar një formë shkëmbimi me Manchester United, ekip që u fut i fundit në garën për kilianin, por që duket se do ta fitojë atë.

Alexis Sanchez është në vitin e fundit të marrëveshjes me “topçinjtë” dhe nuk pranoi të rinovojë. Arsenali ka kërkuar nga “djajtë e kuq” të marrë shërbimet e sulmuesit Anthony Martial, duke shfrytëzuar edhe hapësirat e pakta të francezit në formacionin e ekipit nga “Old Trafford”.

Fillimisht ishte menduar se United do të sakrifikonte armenin Henrikh Mkhitarian, por sipas “Evening Standard”, trajneri Wenger ka spostuar vëmendjen te bashkëkombasi i tij.

Manchester City ishte favorit për shërbimet e kilianit, por “djajtë e kuq” i parakaluan duke ofruar 10 milionë paund më shumë, e madje edhe një lojtar në shkëmbim në formë huazimi. Trajneri i Arsenalit ka caktuar këtë mesjavë, si afatin përfundimtar për t’i dhënë fund situatës rreth Alexis Sanchez, por destinacioni i tij i sigurtë duket qyteti i Manchesterit, e jo ngjyra e fanellës.

Top Channel