Arrestohen trafikantët në Athinë, fshihnin kokainën pas ikonave

15/01/2018 13:14

Pas ikonës së Shën Mërisë, në murin e një prej dhomave të shtëpisë ku banonin, dy shtetas shqiptarë kishin krijuar një vend të fshehtë brenda të cilit policët e Antidrogës kanë zbuluar të paktën 1 kg kokainë.

Operacioni është zhvilluar në një banesë në Pire të Athinës, banorët e së cilës ndiqeshin prej kohësh nga agjentët e policisë për trafikim të lëndëve narkotike.

Pasi ka gjetur vendin e fshehtë, policia ka konfiskuar 1 kg kokainë, disa gramë heroinë dhe 12 mijë euro, që vinin nga trafikimi i lëndëve narkotike. Shqiptarët e arrestuar, një 44-vjeçar dhe një 33-vjeçare janë çuar në Prokurori me akuzën për trafik droge.

Në shtëpi atyre iu është gjetur edhe një peshore farmaceutike dhe lëndë kimike, me të cilën përzienin dhe përgatisnin dozat e drogës që shisnin.

Në një zhvillim tjetër, 3 shtetas shqiptarë, dy burra dhe një grua janë arrestuar në Selanik, pasi iu është gjetur në shtëpinë ku banonin, në lagjen “Evosmo”, 90 kg hashash.

Sipas burimeve policore bëhet fjalë për një rrjet që trafikonte sasi të mëdha të lëndëve narkotike.

Përveç drogës, të arrestuarve u është gjetur edhe një pistoletë, dy peshore farmaceutike, disa telefona celularë, rreth 2.900 euro “cash”, si dhe një sasi kartëmonedhash shqiptare.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel