Pylli Orbital, Veliaj: S’ka më bukur se ta qëndisësh Tiranën me pemë

14/01/2018 13:21

100 Selvi janë mbjellë këtë të diel në një segment të Unazës së madhe të kryeqytetit ku aksionit të mbjelljes iu bashkua edhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.

“Nuk besoj se ka punë më të bukur se të qëndisësh Tiranën me pemë. Jam i bindur se në 2018-ën do ta kapim rekordin e mbjelljes së 100 mijë pemëve në gjithë territorin e Tiranës. Kjo që shohim sot është kontributi i një njeriu që nuk është miliarder, që nuk ka lindur në Bllok, që as i ka lënë dikush trashëgimi, por një pjesë të suksesit të tij e ndan me qytetin e Tiranës. Po mbjellim 100 selvi nga secila anë e autostradës, në zonën e Saukut, dhe besoj se deri në fund të këtij sezoni mbjelljeje do të kemi markuar të gjithë atë segment që quhet Pylli Orbital”, u shpreh ai.

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj fton të gjithë qytetarët që në çdo rast gëzimi familjar të mbjellin një pemë.

“U kemi bërë një sfidë të gjithë qytetarëve të Tiranës, për çdo ditëlindje, për çdo ceremoni, për çdo përkujtim, të dhurojnë një pemë ose një stol, kështu secili lë gjurmën e vet në qytet. Do keni mundësi që pas 10-15 vitesh, kur të mos jemi në bashki, të kemi mundësi të themi si qytet, që secili ka lënë gjurmën e tij në vendin që mori përsipër të ndihmojë”, shtoi ai.

Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me këto ritme me mbjelljen e pemëve me qellim që në fund të sezonit të mbjelljeve të kenë thyer rekordin e 100 mijë pemëve të mbjella.

Top Channel