Ligji për gjuhën shqipe, dekreti i Ivanov do të jetë brenda afatit

13/01/2018 11:22

Nga momenti që u miratua në Kuvendin e Maqedonisë, afati i dekretimit të ligjit të gjuhëve nga presidenti Gjorgje Ivanov ishte 10 ditë.

Burime nga presidenca pohojnë se kreu i shtetit maqedonas do ta njoftojë vendimin e tij brenda kornizave kohore kushtetuese, megjithatë nuk japin asnjë informacion të mëtejshëm mbi lëvizjen e pritshme të Ivanovit që gjatë fjalimit vjetor në Parlament e pat theksuar se legjislacioni në fjalë nuk cenon vetëm gjuhën, por edhe karakterin unitar të vendit.

Për çdo rast edhe nëse Ivanov do të vazhdojë linjën e zvarritjeve e bllokimeve që ndoqi në raport me krijimin e qeverisë së re të Zoran Zaevit, ka mekanizma të tjerë sipas kryeparlamentarit Talat Xhaferi që mund të aktivizohen për miratimin dhe futjen e tij sërish në fuqi.

Mjaft qytetarë atje vetë, nga sa pohojnë mediat vendase, ndonëse e përshëndesin aprovimin e ligjit, janë skeptikë përsa i takon zbatimit të tij. Ata thonë se kanë dëgjuar shumë premtime të parealizuara dhe kjo i shtyn ta shohin me dyshim fazën tjetër dhe mjaft të rëndësishme të këtij procesi; implementimin.

69 deputetë të Parlamentit të Maqedonisë votuan dy ditë më parë në favor të ligjit mbi përdorimin e gjuhëve i cili i jep shqipes një shtrirje të gjerë edhe nëpër institucionet e larta shtetërore ku nuk përdorej deri më tani. Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga shumica parlamentare, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerësohet si përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur në gusht të vitit 2001.

 

Top Channel