Pas dy fitoreve të pak ditëve më parë me rezultat të njëjtë, 2-1 ndaj Kayserisporit dhe Bursasporit, kampionët në fuqi të Shqipërisë janë frenuar vetëm dy minuta nga fundi i takimit të tretë miqësor, nga një emër i madh i futbollit turk, Fenerbahçe.

Edhe ndaj gjigantëve turq, që marrin pjesë rregullisht në kupat e Europës, ishin verilindorët e Kukësit që kryesonin 2-1 deri në minutën e 88 të kohës së rregullt, kur arbitri akordon një tjetër 11-metërsh për vendasit, i konvertuar në gol në minutën e 92-të.

Shkak i vonesës u bë një grindje mes lojtarëve të të dyja pankinave, që krijoi për pak çaste tension, por që nuk e ndërpreu përfundimin e miqësores, që u luajt deri në minutën e 97.

Kukësi kaloi në avantazh të dyfishtë pas më shumë se gjysmë ore lojë, me golat e shënuar në minutat 28 nga Elis Bakaj dhe 34 nga Bujar Idrizi. Në pjesën e dytë, turqit shkurtojnë diferencën me një 11-metërsh nga Giuliano, e sërish nga pika e bardhë e penalltisë barazuan me Fernandao.

Një lojë thuajse tërësisht e ndryshuar që pas shkarkimit të trajnerit serb Milinkoviç dhe marrjes së frerëve të pankinës nga austriaku Peter Pacult, që i sheh verilindorët ta nisin vrrullshëm takimin në sulm, e në pjesën e dytë të kthehen pas në mbrojtje të rezultatit.

Edhe pse këtë herë nuk ia dolën me sukses, do të duhet të presim rifillimin e Kategorisë Superiore për ta parë realisht dorën e ndryshimit.

Top Channel