Ligjërimi politik ka qenë pika e fortë e tij, shembull i përsosur sesi nga kardiolog arriti të shndërrohet në njeriun që dominoi për dy dekada skenën politike shqiptare, duke qenë ende aktiv edhe sot.

Analisti dhe gazetari Alfred Lela ka marrë përsipër të identifikojë dhe analizojë diskurin politik të Sali Berishës gjatë një periudhe të ngushtë kohore ’90-’92. Dy vite që lidhen me fillesat e Berishës si politikan, nga një shkrim në gazetën “Bashkimi”, e deri te fjalimi i parë si President.

I promovuar sot në një aktivitet ku merrnin pjesë njerëz të medias dhe politikës, “Ut Heri Dicebamus”, (Siç thoshim dje), nëpërmjet teorive moderne të komunikimit shpalos diskurin politik të Berishës dhe a ka qenë i djathtë ai, duke përdorur dy qasje interpretuese, të gjuhës që ndërton dhe gjuhës që interpreton.

“Ajo që mund të dallosh te Berisha pa pikë dyshimi është se ai ishte, duke e krahasuar me ligjërimin dhe me kontekstin e kohës si histori, por edhe si retorikë politike, para kohës së vet. Unë besoj se kjo e ka ndihmuar zotin Berisha të shkëputet prej të tjerëve, të marrë edhe drejtimin e Partisë Demokratike, domethënë të identifikohet si lideri dhe të mos ishte më ‘primus inter pares’, i pari mes të barabartëve, siç nisi apo siç u duk se nisi në dhjetorin e ’90-s”, shprehet autori i librit, Alfred Lela.

Top Channel