Skema e re e orëve të mësimit. Mësuesit, jo shumë entuziastë për riorganizimin e lëndëve

12/01/2018 20:44

Ata që hartuan skemën e re të shpërndarjes së orëve mësimore, e konsiderojnë atë si një hap pozitiv në zbatim të kurrikulës së re, siç thonë, nisur edhe nga praktikat e vendeve nordike. Por, për mësuesit që do të duhet të organizojnë krejt lëndët në mes të vitit, nuk është kaq e lehtë.

Mësuesit e dy shkollave publike në kryeqytet, Shkollës së Kuqe dhe shkollës “Edith Durham”, ku Top Channel shkoi që të pyesë, e kanë të vështirë të flasin për skemën e re të shpërndarjes së orëve mësimore. Mesa duket, për shkak se do të duhet të komentojnë një vendim që u shpall fillimisht prej kryeministrit. Por, në privat, duket se mendimi është më i pavarur.

Jetmir Aliçkaj, drejtues i një shkolle private, thotë: “Ky ndryshim do të jetë në sinkron me ndryshimet kurrikulare. Kemi 3 vite që kurrikula mbështetet te kompetencat. Kjo do të thotë që te nxënia të motivojmë shumë mendimin kritik dhe krijues. Por, që të realizohet kjo, nuk është i mjaftueshëm 45-minutëshi”.

Edlira, me profesion mësuese, administratore e një tjetër shkolle private, megjithëse e përqafon këtë nismë të re, shprehet më skeptike: “Fëmijët e ciklit fillor do e kënë të vështirë, pasi nga statistikat deri në minutën e 7, përqendrimi është 100%, pastaj vjen duke rënë. Mbase nuk do të kemi një përqendrim dhe efikasitet ashtu siç e dëshirojmë. 90 minuta janë shumë për një fëmijë të ciklit të ulët”.

Jashtë kamerës, mësues dhe drejtues mendojnë se kjo skemë e re është e nxituar dhe se mund të niste e koncpetuar më me kujdes, trajnime dhe me pilotim në disa shkolla në fillim të vitit të ardhshëm. Por, të vënë përpara një fakti të kryer, mësuesit po përgatiten shpejt për mënyrën si do ta organizojnë këtë program të ri mësimor.

Top Channel