Indeksi, demokracia amerikane kategorizohet “e brishtë”; Shqipëria në vendnumëro

12/01/2018 17:27

Njësia e Inteligjencës e The Economist ka publikuar raportin e radhës për gjendjen e demokracisë në botë. 167 vende kanë kaluar në sitën e ekspertëve, që kanë nxjerrë përfundimet për vitin 2016.

Ajo që bie në sy është një përkeqësim i demokracisë në Shtetet e Bashkuara për këtë vit, që shënoi 7.98 pikë, nga 8.05 që kishte në vitin 2015.

Sipas “The Economist”, demokracia e Shteteve të Bashkuara, që merret si shembull në shumë vende të tjera të botës, vetë ka rrëshqitur në rangun “e brishtë”.

Janë 60 indikatorë nga pesë fusha të ndryshme, si proceset zgjedhore dhe pluralizmi politik, funksionimi i qeverisë, përfshirja në politikë, kultura demokratike e shoqërisë civile dhe liritë e qytetarëve. Këta tregues analizohen e shqyrtohen për përcaktimin e gjendjes së demokracisë në një vend të caktuar, që vlerësohet më pas nga 1 deri tek 10.

Sa i takon vendit tonë, “The Economist” vëren se demokracia shqiptare mbetet ende e brishtë dhe për 2016 u vlerësua me 5.91 pikë, po aq sa në 2015.

Vlerësimin maksimal ka marrë Norvegjia me 9.93 pikë, ndjekur nga Islanda me 9.50, Suedia, Danimarka, Kanadaja e Australia.

Top Channel