Arta Marku takon “Euralius”, misioni: Plotësoni kuadrin ligjor për KLP e KLGJ

12/01/2018 18:17

Përveç kortezisë për ta uruar për detyrën, reforma në drejtësi ishte tema e takimit mes ekspertëve të Euralius-it dhe Prokurores së Përgjithshem të Përkohshme, Arta Marku, pak kohë pasi misioni i Bashkimit Europian publikoi një manual për njerëzit e drejtësisë që do t’i mbijetojnë vettingut.

Sipas Zyrës së Shtypit, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme ka theksuar rëndësinë që ka përshpejtimi i procesit të vettingut. Arta Marku ka theksuar gjithashtu nevojën për forcimin e integritetit të prokurorëve në luftën kundër krimit.

Pikërisht për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, më herët misioni Euralius rekomandoi ndërhyrjen e politikës në plotësimin e kuadrit ligjor, një raport që Top Channel e publikoi pak ditë më parë.

Sipas vlerësimit të këtij misioni, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa nene e për këtë misioni Euralius i kujton politikës se dispozitat e shfuqizuara duhet të zëvendësohen me të reja, sepse nëse nuk rishikohen në kohë nenet e shfuqizuara, kryesisht neni 61 dhe 159 për organet e reja të qeverisjes gjyqësore, që flasin për mbledhjet plenare të KLGJ-së dhe KLP-së, atëherë dy organet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, edhe sikur të ngrihen nesër, nuk do të kanë bazë ligjore të plotë për të funksionuar.

Top Channel