Raporti për shembjen në Tiranë-Elbasan, rruga u shkatërrua nga uji

10/01/2018 15:20

Studimi gjeologjik për shembjen e masivit shkëmbor në aksin nacional Elbasan-Tiranë ka dalë në përfundimin se shkak është mosdisiplinimi i ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë.

Në konkluzinet e tij Shërbimi Gjeologjik vlerëson se zona është e paqëndrueshme dhe shpati i malit mund të ketë rrëshqitje të tjera, madje në rekomandimet e tij ky shërbim sugjeron të mos hiqet i gjithë masivi shkëmbor për të bërë të mundur vetëstabilizimin e tij në shpatin e malit.

Edhe pse nuk vlerëson se punimet e rrugës kanë qenë të gabuara, Shërbimi Gjeologjik kërkon të disiplinohen me urgjencë ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësorë duke bërë drenime dhe kanale për rrjedhjen e tyre dhe të ndërtohet mur mbajtës midis asfaltit dhe autostradës me qëllim neutralizimin e rrëshqitjeve shkëmbore të thella.

Sipas studimit gjeologjik, përdorimi i lëndëve plasëse për ndërtimin e shkallëve të cilat kanë dimensionuar këtë shpat ka qenë një tjetër faktor ndikues.

Tronditja që ka pësuar masivi shkëmbor ka krijuar hapje të çarjeve, hapje të cilat kanë shërbyer për kalimin e ujërave në drejtim të thellësisë.Autostrada Tiranë-Elbasan është vënë në funksion të pjesshëm në qershor të vitit 2012 ndërsa ndërtimi i saj nisi një vit më herët. Në këto 6 vite mungesa e kontrollit ndaj firmës zbatuese dhe neglizhenca e një problemi të vogël, siç janë kanalet kulluese, çoi në një dëm të madh që edhe faturën financiare do ta ketë shumë herë më të madhe sesa ndërtimi i thjeshtë i disa kanaleve kulluese dhe disiplinimi i ujërave sipërfaqësore e nëntokësorë.

Top Channel