Pallati i rrezikuar, kryebashkiakja e Gjirokastrës apel banorëve

10/01/2018 17:00

Pas mbërritjes së raportit gjeologjik mbi gjendjen e terrenit në pallatin e rrezikuar në Gjirokastër, kryebashkiakja e këtij qyteti, Zamira Rami u takua me banorët e prekur.

Rami u bëri thirrje që të zbatohen këshillat e përpiluara në raportin gjeologjik.

“Do të qëndroni edhe disa ditë jashtë banesave derisa të dalim në një përfundim të saktë. Ndërhyrjet duhet të kryhen në kohë të shpejtë”, tha ajo.

Sipas kryebashkiakes, zhvendosja e banorëve duhet të vazhdojë ashtu siç këshillon raporti gjeologjik.

Elektronikisht raporti u publikua të martën dhe fizikisht posta e dorëzoi atë në bashki dhe prefekturë të mërkurën në mesditë. Por, banorët janë zemëruar që askush nuk u ka komunikuar përfundimet e tij.

Të tensionuar prej situatës një pjesë e tyre janë rikthyer në banesa ndërsa disa vijojnë të presin.

Më parë bashkia kishte njoftuar se raporti do t’ju komunikohej banorëve të martën dhe në bazë të tij do të parashikoheshin edhe masat për evitimin e rrezikut.

Sipas faqes së rekomandimeve të raportit gjeologjik kërkohet largimi i menjëhershëm i banorëve të pallatit të rrezikuar për në mjedise të sigurta deri në marrjen e masave inxhinjerike stabilizuese si dhe monitorimi i vazhdueshëm i rrëshqitjes për t’i paraprirë situatave të rrezikshme.

Top Channel