Odisea e Assange, Ekuadori: S’mund ta strehojmë më

10/01/2018 12:21

Ministria e Jashtme e Ekuadorit njoftoi se qëndrimi prej 5 vitesh e gjysmë i Julian Assange në Ambasadën e këtij vendi në Londër është bërë i papërballueshëm dhe duhet të marrë fund përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar.

Themeluesi i Wikileaks është strehuar në Ambasadën e Ekuadorit që prej verës së vitit 2012, kur u përball me mundësinë e ekstradimit në Suedi, pas akuzave për dhunë seksuale ndaj dy femrave, akuza që ai i mohon.

Autoritetet suedeze tashmë i kanë rrëzuar akuzat, një prej të cilave për përdhunim, por Assange përballet sërish me arrestimin për shkelje të lirisë me kusht.

Sidoqoftë, frika më e madhe e Assange, diçka që ai e ka pranuar edhe vet, është arrestimi dhe dërgimi në SHBA për dosjet sekrete të publikuara nga faqja e tij e internetit.

Kjo, sidomos pasi kryeprokurori amerikan Jeff Sessions tha se arrestimi i Assange është prioritet. Por, duket se Ekuadori nuk mund të vazhdojë ta strehojë më gjatë dhe autoritetet në Quito thanë se po kërkojnë një vend apo personalitet që të arrijë një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar.

Nëse Assange del nga Ambasada, ai do të arrestohet nga autoritetet britanike dhe duket se po kërkohet garanci që kjo të mos ndodhë. Vet Assange e ka cilësuar ngujimin e tij një padrejtësi, ndërsa avokati i tij tha se ka ardhur koha, që Britania të tregojë se respekton të drejtat e njeriut dhe t’i japë lirinë Julian Assange.

Top Channel