Vetëm një ditë pas vizitës së zv.kryeministrit maqedonas, Bujar Osmani, në Greqi shkon me urgjencë edhe ministri i Jashtëm i vendit, Nikola Dimitrov.

Lajmi konfirmohet nga Ministria e Jashtme greke, sipas së cilës, vajtja e Dimitrov në Athinë pritet të “vulosë” një marrëveshje të mundshme për emrin e Maqedonisë.

Ende nuk është zbardhur axhenda e takimit, por pala greke thotë se mes dy ministrave të Jashtëm do të ketë bisedime për çështje me interes të përbashkët. Top Channel ka mësuar se Dimitrov shkon në Greqi për të diskutuar në detaje çështjen e emrit, për të cilin palët kanë akord, por edhe çështje të tjera me interes të përbashkët dhe diskutimin e detajeve për një takim mes kryeministrit Zaev dhe atij Tsipras në Davos.

Nuk përjashtohet, ndërkohë, edhe një takim i mundshëm me Tsipras gjatë orëve që Dimitrov do të qëndrojë në Greqi. Duket se palët janë më afër se kurrë për gjetjen e një emëruesi të përbashkët për çështjen e emrit, me variantin më të mundshëm “Nova Maqedonija”.

Por, pavarësisht rakordimit të mundshëm të politikës, i fortë mbetet kundërshtimi i kishës greke. Me një deklaratë me tone të ashpra, Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë thekson se “Kisha ka qenë martire me fjalën dhe gjakun e Klerit dhe të popullit për helenizimin e Maqedonisë, e për këtë arsye nuk mund të pranojë atributet e termit ‘Maqedonia’ apo të një derivati të tij, si komponent emri të një shteti tjetër”.

Më herët, vet kryepeshkopi i Greqisë Ieronimos kishte paralajmëruar se kisha nuk do të mund të ishte indiferente ndaj çështjes së emrit të Shkupit, një çështje që sipas tij është thelbësore për atdheun.

Top Channel