Me një deklaratë me tone të fuqishme, Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë thekson se “Kisha ka qenë martire me fjalën dhe gjakun e Klerit dhe të popullit për helenizimin e Maqedonisë, e për këtë arsye nuk mund të pranojë atributet e termit ‘Maqedonia’ apo të një derivati të tij, si komponent emri të një shteti tjetër”.

Sinodi i përhershëm i Kishës i ka bërë thirrje qeverisë të kuptojë shqetësimin e saj, që është një shqetësim për helenizimin ekumenik.

Më herët, vet kryepeshkopi i Greqisë Ieronimos kishte paralajmëruar se kisha nuk do të mund të ishte indiferente ndaj çështjes së emrit të Shkupit, një çështje që sipas tij është thelbësore për atdheun.

Sipas mitropolitit të Nea Smirnis, Kisha greke ka një arsye më tepër për të reaguar, pasi kisha e fqinjit verior të Greqisë vetëquhet “maqedonase”.

Orët e fundit, emri më i përfolur për të cilin vijnë reagime të ndryshme nga partitë dhe nga opinioni publik është “Nova Makedonija”, e shqiptuar në versionin sllav, por edhe në greqisht dhe anglisht.

Por, dje nga Athina, zv.kryeministri i ish-Repubklikës Jugosllave të Maqedonisë, Bujar Osmani përgënjeshtroi lajmin se ka një marrëveshje midis dy vendeve, e të njëjtën gjë ka pohuar mbrëmjen e së mërkurës edhe zv.ministri i Jashtëm grek, që ka theksuar se kur të ketë një marrëveshje, ajo do të shkojë për miratim në Parlament.

Me interes të madh pritet takimi në Nju Jork i ndërmjetësit të OKB-së për çështjen e emrit, Matthew Nimetz, me negociatorët e të dyja vendeve përkatëse, Adamántio Vasiláki dhe Vasko Naumofski, që do të zhvillohet më 17 janar, dy ditë më herët nga ç’ishte programuar.

Top Channel