Operacionet në zemër; Përmirësimi i shërbimit, 804 ndërhyrje në 2017-ën

09/01/2018 15:31

Ndonëse para pak vitesh pacientët shqiptarë udhëtonin drejt spitaleve jashtë vendit duke shitur deri edhe shtëpitë për ndërhyrje kirurgjikale në zemër, tanimë duket se është rikthyer besimi te kardiologjia shqiptare.

Ky shërbim në QSUT ka realizuar gjatë vitit 2017, 804 ndërhyrje të suksesshme.

“Arritja e një numri rekord të ndërhyrjeve kardiokirurgjikale me zemër të hapur, me një shifër prej 804 rasteve në harkun kohor të një viti. Gjë që e vendos shërbimin kardiokirugjisë pranë QSUT-së në vendin e dytë në Ballkanin perëndimor, përsa përket volumit të ndërhyrjeve, tipologjisë etj”, u shpreh Prof.Dr.Edvin Prifti, Shefi i Shërbimit të kardiokirugjisë në QSUT.

Shërbimi i kardiokirugjisë ka aparatura të teknologjisë së fundit për të kryer ndërhyrje delikate në zemër. Ndërkohë që ekipi i mjekëve deklaron se është ulur vdekshmëria në 0.6% falë investimeve.

“Përdorimi i seteve monu uso në sallën e operacionit, ardhja e seteve kirurgjikale të individualizuar për çdo kirurg. Sterilizimi i sallës operacionit si dhe sterilizimi me një aparat të veçantë në 2017-ën. Kjo ka ulur vdekshmërinë si dhe infeksionet spitalore. Ka ulur edhe ditëqëndrimin në spital”, u shpreh Altin Veshti, kardiokirurg.

Përveç suksesit te ekipit te kardiokirurgeve, investimet e kanë ulur koston për pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në zemër.

Top Channel