Modriç eviton burgun, paguan 1 mln euro

09/01/2018 14:13

Luka Modriç pranoi t’u paguajë organeve tatimore 1 milionë Euro për të evituar dënimin me burg. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle ‘El Mundo’ sipas së cilës, mesfushori kroat ishte thirrur nga Gjykata e Alcobendas pasi është një prej futbollistëve nën hetim për evazion fiskal në vitet 2013 e 2014.

Modriç nuk ishte i pranishëm në seancat e fundit stërvitore të Realit të Madridit për t’u shfaqur përballë gjykatësve.

Organet fiskale konfirmuan se mesfushori kroat e ka derdhur zyrtarisht shumën prej 1 milionë Eurosh duke e pranuar akuzën për mashtrim nga Agjencia e Të ardhurave, lëvizje të cilën e bëri për të mbyllur njëherë e mirë këtë çështje.

Nga hetimet e kryera nga organet tatimore në Spanjë rezultoi se në 2013 Modriç nuk kishte paguar 290 990 Euro, ndërsa në 2014, 579 738 Euro. Kjo shifër, po t;’i shtosh edhe interesat shkon në 1 milionë Euro, dhe Modriç e pagoi për të evituar procesin penal ku mund të dënohej edhe me heqje lirie.

Top Channel