Kalimi i Barkley te Chelsea, kryebashkiaku tifoz akuzon për “mashtrim”

09/01/2018 18:51

Për ikjen nga dera e pasme të Ross Barkley ka një tifoz të revoltuar mbi të gjithë të tjerët. Tek Evertoni nuk e kanë pëlqyer aspak largimin e tij për një çmim inferior, krahasuar me atë që vlen realisht mesfushori me tipare ofensive.

Kryetari i Bashkisë së Liverpoolit, një tifoz i hershëm i Evertonit, ka kaluar nga revolta në një notë proteste dhe kërkesë zyrtare ndaj Federatës, për të hetuar Chelsean për mashtrim.

“Jam i shqetësuar për transferimin e fundit dhe rrethanat, në të cilat Ross Barkley kaloi te Chelsea dhe u kërkoj autoriteteve policore të hetojnë, nëse ekzistojnë bazat e mashtrimit në këtë çështje. Duhet të siguroni tifozët, që transferimet po monitorohen dhe individë të veçantë nuk po përfitojnë ilegalisht. Vlera e Ross Barkley ra në mënyrë të çuditshme me një milion paund në javë, e Chelsea arriti ta blejë për më pak se gjysmën e çmimit që kishte ofruar 4 muaj më parë. Në rastin më të keq, kjo është manovër përfitimi nga lojtari, agjenti i tij dhe klubi blerës”, tha Joe Anderson, kryebashkiak i Liverpoolit.

I njohur si një mbështetës i flaktë i Evertonit, kryebashkiaku i qytetit të Liverpoolit e cilësoi një shantazh, marrëveshjen që u formalizua me futbollistin e kombëtares angleze. Ross Barkley i kushtoi Chelseat vetëm 15 milionë paund, në vitin e fundit të kontratës me klubin ku militonte deri një javë më parë.

Top Channel