Filmi shqiptar, kineastët: Në Shqipëri, investim për Kulturën

09/01/2018 15:44

Industria e filmit në të gjithë botën konsiderohet si ndër më fitimprurëset, por në Shqipëri ende shihet si investim në Kulturë dhe jo në industri.

Si e tillë ne kemi buxhetin më të pakët të filmit krahasuar me gjithë Ballkanin, çka është një ndër vështirësitë më të mëdha të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë sot, pavarësisht se “Balkan Film Market” që u zhvillua për herë të parë vitin e kaluar dha një kontribut në përmirësimin e klimës.

“Ne nuk shkojmë vetëm në markat më të njohur të botës, por ne krijojmë në Shqipëri, në Tiranë një pol aktiv të gjetjes së interesit europian dhe ballkanik, pikërisht për projektet tona”, shprehet Ilir Butka, drejtor i QKK.

Shqipëria mbetet ende një vend i paeksploruar mjaftueshëm nga koproduksionet e huaja. Ndaj për thithjen e tyre ka ende punë për t’u bërë, sidomos në drejtim të lehtësimit të politikave fiskale.

“Po punojmë intensivisht në dy drejtime. E para është krijimi i Film-commission nga ana tjetër po punojmë edhe mundësinë e rishikimit të taksave. Një investim i zhvilluar nga një kompani e huaj, në Shqipëri për arsye xhirimi duhe të çlirohet nga pagimi i taksave”, vë në dukje Ilir Butka.

Megjithatë situata po shkon drejt përmirësimit dhe kjo vihet re sidomos nga rritja e numrit të krijimitarisë dhe autorëve të rinj që bëhen pjesë e kinemasë

“Në 20 vitet e fundit janë financuar 300 filma nga QKK, nga të cilat 100 filma janë financuar 3 vitet e fundit. Duke i krijuar hapësira gjithnjë e më të mëdha krijuesve të rinj”, tha Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Top Channel