Ekonomia tkurr prodhimin; Biznesi shfrytëzon vetëm 72.7 % të kapaciteteve

09/01/2018 15:10

Biznesi ka ulur për të dytin tremujor me radhë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese duke sinjalizuar një tërheqje të aktivitetit ekonomik në muajt e fundit të 2017-ës. Banka e Shqipërisë raportoi se në tremujorin e katërt të vitit, që lamë pas norma e shfrytëzimit të kapaciteve ra në të gjitha sektorët e ekonomisë.

Sipas Bankës, në industri, biznesi shfrytëzoi vetëm 72.7 për qind të potencialit prodhues, nga 73.7 për qind që ishte shifra në tremujorin e tretë. Rënia ka qenë më e fortë në sektorin e ndërtimit, ku shfrytëzimi i kapaciteteve ra nga 62.3 për qind të që ishte në tremujorin e tretë në 59 për qind.

Megjithatë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, shfrytëzimi i kapaciteteve për këto dy degë është rritur. Më problematike janë dy sektorët e tjerë të ekonomisë, shërbimi dhe tregtia.

Për të dy këto sektorë, shfrytëzimi i kapaciteteve është ulur jo vetëm krahasuar me tremujorin e tretë të 2017-ës, por edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Madje për të dy këto degë, të cilët kanë një peshë të lartë në prodhimin kombëtare, shfrytëzimi i kapaciteteve qëndron poshtë mesatares 10 vjeçare.

Banka e Shqipërisë nuk sqaron se pse ndërmarrjet kanë ulur shfrytëzimin e makinerive dhe aseteve të tjera prodhuese. Por në vrojtimin e besimit, ajo thotë se në industri dhe ndërtim ka patur rënie të kontratave porositëse, pra kërkesës, duke e detyruar biznesin që të ngadalësojë ritmin e prodhimit.

Top Channel