Athina dhe Shkupi kanë nisur një valë bisedimesh intensive direkte mes dy vendeve, lidhur me emërtimin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Kontakteve të shumta mes dy vendeve i është shtuar edhe vizita e sotme në Athinë e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Bujar Osmani, i cili fillimisht u takua me zëvendësministrin e Jashtëm përgjegjës për çështjet evropiane, Jorgos Katrugalos, e në vazhdim Osmani u takua me ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias.

Ndonëse ende nuk ka detaje nga takimi, burime të besuara të Top Channel, thanë se të dy palët po diskutojnë detajet e një marrëveshje për emrin, për të cilin me shumë gjasë do të jetë “Nova Macedonia”(Maqedonia e Re), e shqiptuar si një e vetme në diksionin sllav të saj.

Ndërkohë që në tryezë janë ende emërtimet e mundshme Maqedonia e Sipërme ose Maqedonia Veriore, por këto emërtime nuk janë pranuar nga pala greke.

Burimet i thanë Top Channel se ka dakordësi për një sërë çështjesh mes dy vendeve, madje, zoti Kotsias ka shprehur gatishmërinë e Athinës për një takim të nivelit të lartë mes dy vendeve, sikundër takimi me ministrin shqiptar, Ditmir Bushati në Kretë, ose në Korçë në datën 20-22 janar, por edhe siç kohët e fundit Athina ka zhvilluar me Qipron, Izraelin, Egjiptin ose mes fqinjët bullgare dhe serbe muajin e kaluar.

Kjo formule ka rezultuar mjafte produktive, pasi siç ministri i Jashtëm grek ka theksuar, gjatë këtyre takimeve me dyer të mbyllura, palët fokusohen në zgjidhjen përfundimtare e problemeve mes tyre.

Ky takim me shumë gjasë do të zhvillohet në muajin mars, madje nuk përjashtohet edhe një takim në nivel kryeministrash mes Greqisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, ku edhe do të “vuloset” dakordësia mes fqinjëve ballkanike për një sërë çështjes të karakterit historik dhe teknik mes tyre.

Kjo lëvizje do të kishte edhe simbolikën e saj, ndaj dhe duket se do te marrë edhe “ok” të Tiranës zyrtare.

Top Channel