Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi këtë të hënë artistët Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu me dekoraten e lartë “Nderi i Kombit”.

“Liljana Cingu e Rexhep Çeliku dhanë gjithçka nga jeta e tyre, që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Ata ngritën në këmbë e pushtuan zemrat e spektakorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare, duke u njehsuar me vlerat dhe bukurinë e artit e të muzikës e trashegimisë sonë, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë”, u shpreh presidenti Ilir Meta.

“Nuk është e lehtë të bëhesh ‘Nder i Kombit’, por puna të bën. Këtë vlerësim ia dedikoj koreografëve, pa të cilët ne nuk do të ishim askushi”, tha Liljana Cingu, valltare.

“Falënderoj Presidentin e Republikës për këtë dekoratë, që është jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin që kemi punuar bashkë”, tha Rexhep Çeliku, valltar.

Liljana Cingu e Rexhep Çeliku iu bashkuan Ansamblit Popullor kur ishin vetëm 16 vjeç, e prej gati gjysmëshekulli, ata janë kthyer në emblemën e valles shqipe, të kërcyer në skena brenda e jashtë vendit, ku janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare.

Sukseset dhe vlerësimet e tyre janë ngushtësisht të lidhura me sukseset e Ansamblit tonë Kombëtar të Këngëve e Valleve Popullore.

Top Channel