Ramush Haradinaj e ka anuluar vizitën e planifikuar për më 11 janar për në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi nuk ka mundur të marrë vizën. Kështu tha për “Radio Europa e Lirë” një zyrtar i Gardës Kombëtare në Iowa.

Kryeministri kosovar do të merrte pjesë në një aktivitet të organizuar nga komandanti i Gardës Kombëtare në këtë shtet, Timothy E. Orr.

“Kryeministri Haradinaj ishte i ftuar nga gjenerali Orr, por fatkeqësisht nuk mundi të marrë vizën për të na u bashkuar”, citohet të thotë kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i Gardës së Iowas.

Sipas Hapgood, në vend të Haradinajt do të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Por Halil Matoshi, nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, tha për “Radio Europa e Lirë” se, “e gjithë çështja është ende në procedurë”.

“Nuk e dimë, por nuk kemi konfirmim. As po, as jo”, ishte komenti i tij.

Mediet në Prishtinë raportuan të dielën se Ambasada e Shteteve të Bashkuara i kishte refuzuar kryeministrit Haradinaj vizën për të udhëtuar drejt Amerikës.

Vet Haradinaj është shprehur se ende është në pritje të marrjes së vizës. Ky zhvillim pason kritikat e komunitetit ndërkombëtar pas përpjekjeve të ligjvënësve të Kosovës për të ndryshuar ligjin për Gjykatën e posaçme për krime lufte.

Top Channel