Evakuohen banorët në Gjirokastër, çarjet e reja çuan drejt vendimit zyrtar

08/01/2018 09:00

Bashkia e Gjirokastrës dhe Shërbimi gjeologjik përplasen për rrëshqitjen e tokës dhe rrezikun e banorëve të një pallati 5-katësh. Ndërsa në mbrëmje banorët kanë dalë para pallatit të frikësuar dhe aty ka shkuar edhe kryetarja e bashkisë, Zamira Rami për të parë mundësinë e transferimit të tyre në një vend më të sigurt.

Rreth mesnatës prefekti i qarkut të Gjirokastrës miratoi vendimin e kryetares së bashkisë për evakuimin e 17 familjeve banorë të pallatit 5-katësh dhe 3 familjeve të një vile pranë pallatit që rrezikohen nga rrëshqitja e dheut.

“Deri në momentin që studimi gjeologjik të vijë pranë Bashkisë së Gjirokastrës, pranë Prefekturës së Qarkut, ne t’i evakuojmë banorët pranë konviktit të Pedagogjikes. Sigurisht që këto janë vendime për të qetësuar qytetarët, në mënyrë që ata të mos jenë të pa orientuar dhe të mos shprehen se nuk ka një vend për t’u strehuar dhe ku të jenë të përkujdesur nga ana jonë”, u shpreh kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami.

Vendimi filloi ekzekutimin pasi u komunikua derë më derë. Pjesa më e madhe e banorëve ishin larguar para mbërritjes së ekipeve të ekzekutimit të vendimit. Disa familje e kundërshtuan vendimin dhe shfaqën revoltë.

Gjatë natës mjete të bashkisë, policisë, zjarrfikëseve dhe spitalit transportuan për në konviktin e shkollës Pedagogjike të gjithë banorët e mbetur në shtëpi me përjashtim të një familjeje që pritet të largohet sot.

Rreth godinave pritet vendosja e shiritave të sigurisë deri në daljen e vendimit prej shërbimit gjeologjik, ndërsa policia është angazhuar për mbrojtjen e territorit.

Situata avancoi me shpejtësi pasi banorët konstatuan çarje të reja mbrëmjen e djeshme shumë pranë pallatit.

Top Channel