Mesazhet e Athinës; Politikanët flasin për fqinjët ditën e festës fetare

06/01/2018 22:31

Dita e Epifanisë ose e Ujit të Bekuar ka qenë e mbushur me mesazhet politike për unitet, optimizëm dhe vendosmëri të udhëheqësve të vendit që kanë marrë pjesë në ceremonitë e ndryshme të festes së madhe të Ortodoksisë në Greqi.

Presidenti Prokopis Pavlopulos i pranishëm në Meshën Hyjnore të mbajtur në Kishën e Shen Triadhës dhe më pas në bekimin e ujërave në portin e Pireut, ka deklaruar se kjo festë duhet të frymëzojë grekët të ndërtojnë të ardhmen e tyre duke u bazuar tek historia dhe pozita bashkëkohore si pjesë integrale e BE dhe e komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi.

Ndërsa kryeministri Tsipras nga ishulli i Kalimnos pranë kufijve me Turqinë ka theksuar në mënyrë simbolike se ndodhet në kufijtë lindore të BE, duke çuar mesazh drejt Ankarasë.

“I çojmë një mesazh miqësie, paqeje dhe bashkëpunimi Ankarasë, por shprehim edhe vendosmërinë tonë për të mbrojtur të drejtat tona sovrane ashtu si ato janë përcaktuar nga traktatet ndërkombëtare”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Nuk ka mbetur pa u përmendur nga politikanët si dhe nga përfaqësuesit e Kishës, edhe çështja e mprehtë e emrit të fqinjit verior të Greqisë dhe deklarata më e fuqishme e ditës i takon mitropolitit të Selanikut, i cili gjatë ceremonisë së bekimit të ujërave ka theksuar edhe njëherë se me “Maqedoni nënkuptojmë Greqinë dhe këtë duhet ta marrin vesh të gjithë”.

Në Selanik pritet të zhvillohet në 21 janar një miting i madh i organizuar nga grupe të ndryshme qytetarësh brenda dhe jashtë Greqisë, të cilët kundërshtojnë që fjala Maqedoni të përfshihet tek emri i ri per te cilin po negociojnë Athina dhe Shkupi.

Top Channel